Rritja ekonomike dhe ciklet e biznesit në Shqipëri

Rritja ekonomike në Shqipëri për periudhën 2019-20 është ndikuar negativisht nga goditjet e pësuara nga tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia e COVID-19. Por një vështrim i tendencave afatgjata të ekonomisë tregon se ngadalësimi i rritjes ekonomike kishte filluar që më parë.

Çfarë tregon rritja ekonomike në Shqipëri

Ekonomistët shpesh janë të mendimit se tendencat afatgjata pasqyrojnë më mirë realitetin ekonomik të një vendi. Për këtë arsye, është e rëndësishme që zhvilimet aktuale të shihen si pjesë e tendencave afatgjata që po ndikojnë ekonominë shqiptare.

Projeksionet aktuale për vitin 2020 janë midis një intervali [-6.1%; -9.0%]. Sipas Bankës Botërore (Tetor 2020), Shqipëria do pësojë rënie ekonomike në -8.4% si pasojë e një rënie të thellë të konsumit privat dhe të tregtisë ndërkombëtare. Kjo normë është 2.3 pikë përqindje më e ulët se parashikimi në projekt buxhet. Projeksionet tejet optimiste të qeverisë, siç e kemi përmendur më parë, rrezikojnë të përbëjnë një problem afatgjatë për financat publike. Ndërkohë, institucionet e tjera projektojnë rënie edhe më të theksuar, -9% sipas BERZH dhe -7.5% sipas FMN. Rënia e vitit 2020 është e justifikuar nga impakti i COVID-19  dhe ende nuk dihet nëse kriza do të  vazhdojë më tej.

Por, siç shihet në Figurën 1, rritja ekonomike pësoi ngadalësim gjatë vitit 2019. Sjellja ciklike e rritjes gjatë periudhës 2009-19 njihet në literaturë si cikli i biznesit. Ky fenomen karakterizohet nga katër faza kryesore: rënia e ritmeve të rritjes, minimumi, përshpejtimi dhe në fund pika maksimale. Ciklet e biznesit ndodhin natyrshëm në ekonomi nëse nuk janë të nxitur nga politika jo produktive. Por ciklet mund të thyhen duke prodhuar politika që rrisin produktivitetin dhe prodhojnë ritme të larta rritje të qëndrueshme ekonomike në afatgjatë. Intuita na çon drejt një pyetje: A kishte arritur Ekonomia Shqiptare rritjen maksimale në vitin 2018 apo, në mungesë të tërmetit të 26 Nëntorit, viti 2019 do të kishte po të njëjtin rritëm rritje? A jemi futur në fazën e rënies përgjatë ciklit të biznesit dhe kur ka ndodhur kjo?

Figura 1: Cikli i Biznesit në Shqipëri

Burimi: INSTAT, Llogaritë Kombëtare, 2020

Çfarë ndikoi në rritjen ekonomike të vitit 2018?

Rritja prej 4.07% e vitit 2018 është  niveli maksimal i arritur që nga 2013, vit në të cilin ka filluar faza e përshpejtimit e ciklit aktual. Si rezultat i reshjeve përgjatë vitit 2018, sipas ERE, prodhimi i energjisë u rrit në 8.553 GWh, niveli më i lartë i prodhimit historik në vend si dhe 3.076 GWh mbi mesataren historike nga viti 2003. Kjo ngjarje e rastësishme prodhoi vlerë të shtuar në ekonomi por nuk mund të ishte një faktor konstant që përsëritej edhe në vitet në vazhdim. Megjithëse në Shqipëri janë kryer investime të rëndësishme hidro-energjetike për shkak të burimeve të shumta ujore, ishin kushtet klimaterike të favorshme që rritën prodhimin në nivele historike.

Nëse i referohemi të dhënave tremujore të paraqitura në Figurën 2, duket qartë se tendenca e rritjes ekonomike për vitin 2018 ishte e mbështetur nga rritja e fuqishme e sektorit të industrisë ku bën pjesë “prodhimi i energjisë elektrike”. Rritja reale në këtë sektor ka qenë me terma dyshifrorë për çdo tremujor gjatë vitit 2018, situatë e paprecedentë që nga viti 2013. Në fakt, nëse do zhvishej ndikimi i prodhimit të energjisë elektrike, rritja ekonomike do arrinte nivelin maksimal gjatë vitit 2017.

Grafiku 2: Rritja ekonomike tremujore dhe rritja e vlerës së shtuar në sektorin e industrisë

Burimi: INSTAT, Llogaritë Kombëtare, 2020

Çfarë ndodhi më pas?

Pas pikës maksimale të arritur në vitin 2018, rritja ekonomike ka hyrë në fazën e ngadalësimit përgjatë të gjithë 2019-ës. Megjithëse ekonomia shqiptare pësoi goditje negative nga fatkeqësia natyrore e tërmetit, tendenca përgjatë gjithë vitit tregon se nuk ishte ky shkaku i ngadalësimit të rritjes. Në tetor 2019, FMN projektonte një rritje prej më pak se 3% për Shqipërinë për të gjithë vitin.

Gjatë vitit 2019 rritja u reduktua në 2.24%, thuajse përgjysmim i saj krahasuar me vitin 2018, duke shfaqur ngadalësim të vazhdueshëm gjatë gjithë periudhës. Për të kuptuar këtë mjafton të shihen të ardhurat nga TVSH përgjatë vitin 2019, të gjeneruara nga Administrata Tatimore, të cilat tregojnë gjendjen e aktivitetit të brendshëm ekonomik. Sipas të dhënave të MFE, ky tregues rezulton me rënie të vazhdueshme për çdo muaj, me përjashtim të janarit dhe dhjetorit. Edhe realizimi i Taksave Kombëtare, të cilat gjithashtu janë të lidhura drejtpërdrejt me aktivitetin ekonomik, paraqiten me rënie të vazhdueshme për vitin 2019. Këto të dhënat janë paraqitur në mënyrë përmbledhëse në Figurën 3.

Përgjysmimi i rritjes gjatë vitit 2019 ka dy burime kryesor. E para, siç e përmendëm më sipër, është situata hidrike. Arsyeja e dytë kryesore lidhet më përfundimin e punimeve për projektin TAP – një vepër madhore që punësoi kompani ndërtuese, ekspertë, dhe krah pune për thuajse gjashtë vjet. Sektori i turizmit, tjetër burim i rëndësishëm i rritjes ekonomike përgjatë dekadës, po ashtu pësoi një ngadalësim. Numri i personave që vizituan vendin në vitin 2019 u rrit me 8.1%, më pas se rritja prej 15.8% për vitin 2018.

Burimi: MFE 2020,Treguesit Analitik Fiskal 2019

Mjafton kjo analizë e shkurtër për të kuptuar se ekonomia Shqiptare, pavarësisht dy goditjeve negative të njëpasnjëshme të tërmetit dhe pandemisë, ishte futur në fazën e rënies të ciklit të biznesit, e cila u përshpejtua nga këto goditje. Fazat e biznesit  vijnë natyrshëm në një ambient ekonomik dhe për të thyer këto cikle duhen  politika që ndikojnë produktivitetin dhe kahun e ofertës. Mbi të gjitha, këto politika, të quajtura shpesh “strukturore”, përmirësojnë mënyrën se si një vend në zhvillim si Shqipëria përthith kapacitete intelektuale dhe inovacionet teknologjike duke përshpejtuar rritjen afatgjatë. Ato ndikojnë në marrëdhënien e sipërmarrësve me shtetin, aftësinë dhe pavarësinë e institucioneve publike, dhe duhet të jenë thelbi i debatit publik në vend.

0 thoughts on “Rritja ekonomike dhe ciklet e biznesit në Shqipëri

Leave a Reply