Grantet si mundësi zhvillimi

Para disa ditësh përfundoi afati i dorëzimit në  tenderin për propozimet  e kryerjes së  studimit: “Vlerësimi i pandemisë Covid-19, në zinxhirët e vlerës të frutave dhe perimeve”, të organizuar nga UNDP në Shqipëri. A përbën kjo ndodhi lajm sipas teorisë dhe praktikës së gazetarisë qoftë dhe  për një grup të interesuarish?!

Nuk e di! Por besoj se ai përbën një ndodhi sa të zakonshme, rutinë të institucioneve të tilla që shpallin në faqet e tyre të prokurimit gara  konkurruese për kryerjen e studimeve duke ofruar grantet përkatëse, por në të njëjtën kohë një ngjarje që ja vlen të mos mbetet jashtë vëmendjes, të një grupi më të gjerë e pse jo të mbarë opinionit publik në vendin tonë. Natyrisht ajo ka vlerë të drejtpërdrejtë për studiuesit, kërkuesit shkencorë, dhe universiteteve. Aq më tepër kjo në një kohë kur nuk ekzistojnë pak fonde grant si në fushën e studimeve, shkencës ashtu dhe bujqësi, si nga Qeveria shqiptare, BE e donatorë te tjerë. Mjafton që aplikuesit e tyre të ofrojnë  cilësi, të mundësojnë vlerë të shtuar, dhe NPV (vlera aktuale neto) konkurruese. Si e tillë ajo nuk ka interes vetëm për grupin aplikues e studiuesit e tjerë, por pa dyshim edhe më gjerë.

Në vendin tonë është organizuar para disa muajsh studimi i dobishëm  “Studim mbi Efektin e Covid-19  në Agrobiznes” i realizuar nga z. Ilir Pilku, ekspert bujqësie, dhe i publikuar në faqen e Programit të Mbështetjes së Agrobznesit Shqiptar (AASF), projekt i  Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH). Në këtë faqe gjen ndërkohë dhe një sërë studimesh të tjera interesante me vlerë për  studimin e Zinxhirit të Vlerës, të financuar nga ky projekt dhe të realizuar nga Programi i Mbështetjes së Agrobiznesit Shqiptar (AASF) dhe  Prof. Dr. Engjëll Skreli e Prof. Assoc. Dr. Drini Imami, nga Instituti i Studimeve Ekonomike dhe Transferimit të Njohurive. Midis të tjerash janë “Studimi për Sektorin e Perimeve të Serrës”, “Studimi për Sektorin e Agrumeve”, ”Studim për Sektorin e Mollëve”, “Studim për Sektorin e Verës”, studime për blegtorinë etj.

A mund të shërbejë kërkimi shkencor si forcë prodhuese?

Natyrisht në këtë bashkëveprim të ndërsjellët midis vendimmarrjes e politikës nga njëra anë, dhe studimeve nga ana tjetër, këto të fundit, dhe sidomos cilësia e tyre, kanë rolin e tyre, sidomos në këtë periudhë krize jo vetëm shëndetësore dhe ekonomike që ka përfshirë vendin tonë dhe mbarë botën. Në këtë rrafsh, jo rastësisht nga autorë të ndryshëm po risillet citimi i Albert Ajnshtajnit:

“Kriza është bekimi më i madh për njerëzit dhe për kombet, sepse kriza sjell progres… Është në kohëra krize që shfaqet më e mira e të gjithëve, sepse, pa një krizë, të gjitha erërat janë thjesht puhiza… Pikërisht, në kohë krize bëhen shpikje, zbulime dhe strategji të mëdha. Kush e kapërcen krizën, kapërcen vetveten, pa u lënë pas nga të tjerët.”

I lexon këto radhë dhe natyrshëm të lind pyetja, “A ka mundësi që dy fatkeqësitë e mëdha që i ndodhën vendit tonë, tërmeti dhe Covid-19, të shndërrohen deri në bekim, për zbulime dhe strategji të mëdha, e të shërbejnë si shtysë për zgjidhje të reja?” Personalisht mendoj se po, nëse mbahet parasysh se në një moment të caktuar të zhvillimit shkenca është shndërruar në element të forcave prodhuese. I tillë është studimi e kërkimi shkencor dhe potenciali i tij. Mjafton që në stadin e tanishëm të zhvillimit të teknikës dhe teknologjisë, ai të marrë vëmendjen dhe mbështetjen e duhur.

Pavarësisht ligështive dhe dhimbjeve që kemi ndjerë, kur kemi humbur jo thjesht pasuri por edhe të afërm e të njohur, nuk mund të mos shohim një rreze drite në fund të tunelit. Kur behët fjalë për pasojat shëndetësore dhe ato ekonomike e sociale të tërmetit dhe COVID -19,  ja vlen të lexohet me kujdes e të reflektohet ajo që shkruan themeluesi dhe kryetari ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror, Klaus Schwab: “E vetmja përgjigje e pranueshme ndaj një krize të tillë është të mendojmë e veprojmë drejt një “Rifillimi të Madh” të ekonomive, politikave dhe shoqërive tona…”

Këtë qëndrim e kanë konfirmuar edhe mjaft studime të ndërmarra kudo në botë, nën kujdesin e mbështetjen e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të saj si UNDP. Tashmë është e qartë se COVID-19  nuk është vetëm një krizë shëndetësore, por ka prekur shoqëritë dhe ekonomitë në thelbin e tyre. Në këto kushte, vlerësimi i ndikimeve të krizës COVID-19 në shoqëri, ekonomi, dhe grupe të cënueshme është  konsideruar nga Kombet e Bashkuara thelbësor për të informuar dhe përshtatur reagimet e qeverive, për të rikuperuar efektet e krizës, dhe për të shtyrë drejt zgjidhjeve inovatore. Reagimet e menjëhershme ndaj kësaj krize duhet  të ndërmerren e shoqërohen me një vështrim për të ardhmen, duke pasur parasysh se trajektoret e zhvillimit në planin afatgjatë ndikohen nga zgjedhjet që bëhen tani. A kanë qenë dhe a janë për vendin tonë këto reagime e zgjidhjet më të përshtatshmet?

Në këtë rrafsh, Kombet e Bashkuara – UNDP përmes 131 ekipeve që shërbejnë në  162 vende kanë mobilizuar kapacitetet e tyre për të mbështetur autoritetet kombëtare në zhvillimin e planeve të shëndetit publik dhe vlerësimin socio-ekonomike të ndikimeve të COVID-19. Duke vënë në zemër të rimëkëmbjes Qeverinë, koha kërkon një dialog gjithëpërfshirës ku puna kërkimore – shkencore ka rolin e saj të padiskutueshëm që mund dhe duhet të shërbejë si ankorë për gjetjen e zgjedhjeve dhe zgjidhjeve më të mira. Ja pse studimi i iniciuar nga UNDP është tej një studimi të zakonshëm dhe jo një riprodhim i thjeshtë i studimeve të sipërpërmendura, që nuk kanë munguar dhe janë kryer aktualisht në sektorin e fruta-perimeve.


Kriza ekonomike dhe keqpërdorimi i draft buxhetit si instrument

Është e njohur se me rënien e produktit të brendshëm bruto për tre tremujorë me radhë, ekonomia jonë ka hyrë de fakto dhe de jure në krizë ekonomike. Në tremujorin e dytë të këtij viti rënia e PBB kundrejt të njëjtit tremujor të vitit 2019 ka qenë më e thella, ose 10,23 %. Vetëm  Bujqësia, Pyje dhe Peshkim dhe  Aktivitetet e Pasurive të Paluajtshme  kanë pësuar  rritje një rritje respektivisht prej 2,63 % dhe 5,46 %,  duke kontribuar në rritjen e PBB respektivisht  me  +0,70 pikë përqindje dhe me +0,29 pikë përqindje. Pra bujqësia ka vazhduar rritjen ndryshe nga degët e sektorët e tjerë.

E njëjta gjë mund të thuhet për eksportin e mallrave. Grupimi i mallrave “Ushqim, pije, duhan”  është i vetmi grupim që ka pasur rritje në eksportin e mallrave gjatë 9-mujorit Janar-Shtator 2020 ndaj të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, me një rritje prej 8.3 % . Të gjithë grupet e tjera, dhe në tërësi  eksporti i mallrave në këtë periudhë, paraqitet me rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar prej 13.7%. Ndërsa perimet kanë qenë në pararojë të eksportit të produkteve bujqësore, duke pësuar një rritje prej më shumë se 17% për 9-mujorin e parë, kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.  Në këto rrethana, studimi mbi efektin e pandemisë Covid-19 mbi frutat dhe perimet, merr një rëndësi të posaçme.

Ecuria e Produktit të Brendshëm Bruto është shoqëruar  me një deficit jo të vogël të buxhetit të shtetit, i cili ishte në fund të 9-mujorit 59,411 milion lekë, thuajse i barabartë më atë të së njëjtës periudhë 7 vjet më parë në vitin 2013, kur ky tregues ishte 58,527 milion lekë. Natyrisht shkaqet e krijimit të këtij deficiti në këto dy periudha kanë qenë krejt të ndryshme. I pari ka qenë rezultat i politikës ekonomike-fiskale të ndjekur, ndërsa i dyti është shkaktuar kryesisht nga  Covid-19. Sidoqoftë, deficit buxhetor për vitin 2020 rezulton aktualisht më i vogël se sa deficiti buxhetor i parashikuar nëpërmjet  Aktit Normativ të korrikut për fundvitin prej 132,965 milion lekë, ose 105,344 milion lekë sipas treguesve të përllogaritur në Relacionin e draftbuxhetit për vitin 2021. Në këto kushte, borxhi publik në terma absolute dhe relative ka shënuar një rritje galopante. Mjafton të mbahet parasysh se nëse ai rritur me 69,397 milion lekë gjatë periudhës 2015-19, shtesa e tij është 148,156 milion lekë gjatë periudhës nëntëmujore, Janar –Shtator 2020.

Shfrytëzimi i momentit për të marrë paraprakisht borxhin në tregun ndërkombëtar me interes relativisht të ulët, ose pa rritur koston e interesave të borxhit gjatë vitit 2020, me sa duket në fakt  ka shërbyer njëkohësisht si koracë për të hapur kanatat e marrjes së borxhit publik, pa kufi dhe pa ja nënshtruar një dialogu dhe debati konstruktiv për të. Për këtë  flet edhe fakti se kjo është pasuar edhe me një qëndrim tjetër. Ndërsa në Relacionin e mbi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2021” shtjellohet pritshmëria e të Ardhurave Buxhetore në fund të vitit 2020, dhe për rrjedhojë ai i realizimit të tatim taksave, që rezulton i ndryshëm krahasuar me Aktin Normativ nr.28 datë 02.07.2020 të buxhetit 2020,  nuk bëhet e njëjta gjë  për pritshmërinë e shpenzimeve totale dhe ato korente, deficitin buxhetor dhe për rrjedhojë dhe të borxhit publik. Këto të fundit janë dhënë telegrafisht, kryesisht në terma relativë, kur jepet pasqyra e treguesve makroekonomikë. Ndërsa në sythin 9.5 “Ecuria e Borxhit Publik për Periudhën Janar-Qershor 2020”  vëmendja është përqendruar për një periudhë të tejkaluar, pa lënë hapësirën dhe trajtesën e nevojshme për pritshmëritë e pjesës së mbetur nga viti 2020 dhe për vitin 2021. Duke e trajtuar kryesisht në terma relativë ndaj PBB, kufizohet debati konstruktiv aq i nevojshëm, apo qoftë edhe pjesëmarrja reale e deputeteve në diskutim. Duke pasur parasysh edhe dallimet jo të vogla midis vlerës së përllogaritur dhe prezantuar nga ana e Qeverisë  në relacionin e buxhetit lidhur me PBB e pritshme të vitit 2020 dhe 2021, me ato të FMN-së, Bashkimit Evropian, apo Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike, mund të thuhet se qeveria ne prag te vitit elektoral në vend të bëhet pjesë e zgjidhjes, duket se po bëhet pjesë e përkeqësimit të problemit.

Për këtë dëshmon edhe fakti se për vitin 2021, deficiti buxhetor parashikohet përsëri shumë i lartë, në  masën 108,695 milion lekë duke pretenduar se përllogaritjet e buxhetit janë bërë për një vit normal! Por duke iu referuar të dhënave relative të Relacionit të Buxhetit, rezulton se shtesa absolute e borxhit publik parashikohet të jetë 50,533 milion lekë për vitin 2021, ose vetëm sa gjysma e deficitit! Në këto kushte, jo rastësisht ekonomistë, biznese por edhe Ministri i Infrastrukturës kanë folur për rrezikun e rritjes së detyrimeve të prapambetura ndaj investitorëve të infrastrukturës rrugore. A do të ndodhë kjo kur nga sa më sipër rezulton se borxhi i marrë deri tani është jo vetëm shumë kohë para kryerjes së shpenzimeve të vitit 2020 por dhe një pjesë e konsiderueshme e tij do të përdoret për vitin 2021? Zor se kush jep një përgjigje të qartë. Një situatë e tillë të bën të mendosh se ky qëndrim për rritjen galopante të borxhit nuk është bërë thjesht për të përballuar shpenzimet e Covid-19 por për efekte elektorale, duke rrezikuar edhe një krizë fiskale. Ndërsa është e pritshme dhe tepër realiste që të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin 2020 të jenë më të vogla se sa ato të realizuara në  vitin 2017, parashikimi i tyre për vitin 2021 jo vetëm që rikuperon nivelin e të ardhurave në vitin 2019, por parashikohet të jetë me një rritje ndaj sa dyfishi i shtesës që kanë pësuar të ardhurat buxhetore në vitin 2019!

Këtu vlen të mbahen parasysh qëndrimet euforike në parashikimin e të ardhurave buxhetore në vite. Mjafton të kujtohet se të ardhurat buxhetore të vitit 2019, edhe sipas parashikimit të Aktit Normativ nr.11 datë 24.12.2019, vetëm një javë para mbylljes së vitit, rezultuan me një mosrealizim prej 5.4% krahasuar me vetë Aktin! Një mosrealizim i tillë, në kushtet e respektimit të deficitit të parashikuar, shoqërohet me rritjen e detyrimeve të prapambetura. Këto janë jo vetëm një shkelje e ligjit, por ndikojnë edhe në frenimin e rritjes së PBB. Ndërkohë, shtesa e të ardhurave buxhetore nga viti 2016 në vitin 2019 ka ardhur në ulje në terma absolute dhe të ritmit të rritjes; respektivisht 7.3%  në vitin 2016, 5.7% në vitin 2017, 4.5% në vitin 2018 dhe 2.3% në vitin 2019, kur ritmi i rritjes të PBB reale ishte 2.2% dhe PBB nominale ishte me e lartë ose  2.9%. Në këto kushte, është e qartë se si për qeverinë, biznesin, konsumatorët në vendin tonë është bërë sfiduese për vitin 2021 si rritja e të ardhurave buxhetore por edhe e PBB. Reduktimi i saj kërkon zgjidhje e politika të reja.

Dëshira e mirë për të ndihmuar banorët e dëmtuar nga tërmeti, që është  në radhë të parë një solidaritet i taksapaguesve shqiptarë, nuk përjashton llogaritjet e sakta buxhetore. Ajo kërkon transparencë të plotë për deputetet dhe për mbarë opinionin publik. Kjo veprimtari nuk mund të bëhet ombrellë për kryerjen e ndërtimeve të reja infrastrukturore, të parakohshme dhe të papërballueshme fiskalisht.

Studimi i zinxhirit të vlerës, premisë për zgjidhje inovatore dhe rritjen e aftësive konkurruese

Ky studim ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin e bujqësisë dhe të nën-sektorëve avangardë si ato të fruta-perimeve. Në këta sektorë mundësohet një nivel i lartë i të ardhurave bruto për hektar (ha), e për rrjedhojë dhe në të ardhurat neto, por dhe një marzh jo i vogël fitimi për ha, krahasuar me sektorët e tjerë të bujqësisë. Këto mundësojnë një potencial jo të vogël eksporti, që vitet e fundit është bërë realitet, siç tregojnë të dhënat nga INSTAT. Rritja dhe zhvillimin i këtyre sektorëve e kulturave ka mundësuar pakësimin e importeve dhe rritjen e eksporteve. Duke filluar nga vitit 2015, raporti import/eksport pasi arriti 1:1, është kthyer përmbys. Eksportet në perime, sidomos për kastravecin e domaten (shtylla e tyre është kultivimi në sera) kanë tejkaluar me shumë-fish importet si në ton ashtu dhe në vlerë. Për këto kultura, vendi ynë është një eksportues neto, duke u shndërruar në një aktor i rëndësishëm rajonal. Në vitin 2018 Shqipëria renditet në vendin e 24-t për eksportin e domates dhe në të 29-in për eksportin e kastravecit. Megjithatë, vendi ynë ka përsëri një deficit të ndjeshëm tregtar për produktet bujqësore në tërësi.

Me tepër interes janë dhe gjetjet e studimeve të sipërpërmendura se “fermerët e intervistuar ankoheshin se konsoliduesit lokalë u imponojnë fermerëve çmime shumë të ulëta – fermerët e intervistuar dyshojnë se konsoliduesit kryesorë koordinohen mes tyre për të bërë presion për uljen e çmimeve, ndërsa fermerët, duke qenë të vegjël dhe të paorganizuar në kooperativa/grupe, nuk kanë fuqi të negociojnë për çmimin.” Nga ana e tyre, konsoliduesit shpjegojnë se ata blejnë nga fermerët me çmime të ulëta për shkak se në tregjet e eksportit shesin me çmime të ulëta, zakonisht pa kontrata paraprake. Si rrjedhojë, rritja dhe zhvillimi i mëtejshëm sasior por dhe cilësor i perimeve dhe frutave në të ardhmen por dhe studimet për to janë sfiduese.

Duke pasur parasysh problematikat e sipërpërmendura të zinxhirit të vlerës, studimi marrin një rëndësi të posaçme si për fermerët e shoqatat e tyre, por dhe politikbërjen. Ka mënyra të ndryshme për të parë zinxhirin e vlerës: brenda fermës por edhe jashtë saj, nga sigurimi i burimeve e inputeve, prodhimi, përpunimi, tregtimi, shpërndarja deri tek konsumatori. Kjo kërkon analiza mbi aktivitetet kryesore dhe ato mbështetës, strukturën aktuale të kostos në ferma, nivelin e pagave dhe fitimit në to dhe në aktoret e tjerë të zinxhirit të vlerës e sidomos grumbullues-eksportuesit

Studimi aktual i zinxhirit të vlerës në fruta-perimet dhe efekti i Covid-19 në to, nuk mund të kufizohet vetëm në objektivat e realizuar tashmë siç janë: panorama e përgjithshme e prirjeve kryesore të prodhimit, të tendencave të tregut dhe tregtisë ndërkombëtare;  apo një vështrim i shpejtë të strukturës së zinxhirit të vlerës. Këto tashmë janë realizuar dhe mund të konsiderohen të kapërcyera, duke shërbyer si pedanë për studime të reja. Interesi nga fermerët, përfshirë pronarët e vegjël dhe të rinjtë, për të investuar, zgjeruar dhe përmirësuar prodhimin e tyre, duke hequr pengesat artificiale të politikave aktuale, duhet të jenë objektivat e së ardhmes. Ato mund të ndihmojnë edhe frenimin e shpopullimit masiv që ka prekur Shqipërinë, e sidomos zonat rurale.

Koha kërkon që studimi/et të shpjegojnë qartë se cilët sektorë e kultura janë të duhura dhe ku ka vend për përmirësim e përsosje. Sa po shfrytëzohen mundësitë e lindura si rrjedhojë e globalizimit dhe  teknologjisë për një koordinim më të mirë midis gjithë hallkave të zinxhirit të vlerës? A mund të thuhet kjo kur paga në sektorin e bujqësisë është nga më të ulëtat krahasuar me degët e tjera të ekonomisë dhe mjaft afër pagës minimale, duke mos realizuar as kontributet e sigurimeve shoqërore? A nuk ka ardhur koha që nëpërmjet studime të tilla të hidhet dritë shkencërisht se pse shiten me çmime relativisht të ulëta produktet edhe në eksport, ndërsa inputet blihen me çmime relativisht të larta?  Sa është paga dhe marzhi i fitimit në secilën hallkë të zinxhirit në kulturat e këtyre sektorëve? Sa reale  janë pretendimet e fermerëve se megjithë rendimentet e larta nuk marrin shpërblimin që ata mendojnë se meritojnë?

Michael Porter ka argumentuar në mënyrë se aftësia jo vetëm për të kryer aktivitete të veçanta por dhe për të menaxhuar lidhjet midis tyre është një burim i avantazhit konkurrues. Qëllimi kryesor i analizës  të zinxhirit të vlerës është të kuptojë se si përfitohet avantazhi dhe si mund të përmirësohet ai. Në rastin e dhënë, meriton të njihet dhe të ofrohet informacion i besueshëm se si realizohet aktualisht avantazhi konkurrues në fruta-perime në vendin tonë, a po realizohet ai në dëm të fermerëve duke mos u mundësuar pagimin e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe nivele të ardhurash e pagë dinjitoze? Natyrisht, për këtë nuk mjaftojnë të dhënat e marra nga kartat teknologjike apo plan-bizneset, por të dhënat faktike të shpenzimeve të fermerëve dhe aktorëve të tjerë të zinxhirit të vlerës. Por, siç dihet, në vendin tonë mbajtja e të dhënave nga fermat është e parakohshme. Nuk ekziston ende rrjeti kontabël i mbajtjes së të dhënave siç ndodh në vendet e rajonit apo në BE. Kjo e bën më të vështirë e më të kushtueshëm studimin, por jo të paarritshëm realizimin e objektivave të tij.

Optimizimi i zinxhirit të vlerës është i dëshirueshëm prej fermerëve dhe aktorëve të tjerë pasi mund të rrisë vlerën, efiçencën e prodhimit, e të ulë kostot dhe risqet. Me politikat e duhura, të rinjtë mund të shohin se ka hapësira për t’u punësuar në bujqësi me të ardhura të kënaqshme. Por për t’i realizuar ato  kërkohet një qëndrim holistik ndaj zinxhirit të vlerës dhe analiza e tij. Prandaj studime të  tilla nuk janë kurrsesi të tepërta. Ato janë  të nevojshme e të dobishme më tepër se kurrë. Ja përse mund të thuhet se ndodhia  e ofrimit të propozimeve për  kryerjen e  studimit “Vlerësimi i pandemisë Covid-19, në zinxhirët e vlerës të frutave dhe perimeve”, dhe shpallja e rezultateve të tij përbën lajm.

Leave a Reply