Ecuria e pensioneve në periudhën 2013-19

Siç ndodh zakonisht gjatë periudhave elektorale, pensionet janë kthyer në qendër të vëmendjes dhe diskutimeve publike. Sipas të dhënave nga INSTAT, pensioni mesatar mujor në qytet është rritur nga 14,076 lekë në muaj në 2013 në 16,254 lekë në muaj në 2019. Ndërsa pensioni mesatar mujor në fshat është rritur nga 7,465 lekë në muaj në 2013 në 9,165 lekë në muaj në 2019.

Figura 1: Pensioni mesatar mujor në vite, në Lek

Pensioni i Qytetit – Rritja Nominale

Siç mund ta shohim nga Figurat 2 dhe 3 më poshtë, pensioni mesatar mujor në qytet është rritur me 2,178 lekë, ose 15.5%, gjatë periudhës 6-vjeçare. Pensioni mujor i qytetit është rritur mesatarisht me 363 lek nga viti në vit, ose një rritje një herë në vit me mesatarisht 2.4% çdo vit. 

E përkthyer se çfarë do të thotë për një vit, një pensionist të qytetit i janë rritur të ardhurat me mesatarisht 4,356 lekë nga viti në vit. Në 6 vite të marra së bashku, shtesa totale që ka përfituar nga rritja e pensioneve mund të llogaritet në vlerë totale 86,122 lekë.

Pensioni i Fshatit – Rritja Nominale

Siç mund ta shohim nga dy grafikët më poshtë, pensioni mesatar mujor në fshat është rritur me 1,700 lekë, ose 22.8%, gjatë periudhës 6-vjeçare. Pensioni mujor i fshatit është rritur mesatarisht me 283 lek nga viti në vit, ose një rritje një herë në vit me mesatarisht 3.5% çdo vit. 

E përkthyer se çfarë do të thotë për një vit, një pensionist të fshatit i janë rritur të ardhurat me mesatarisht 3,400 lekë nga viti në vit. Në 6 vite të marra së bashku, shtesa totale që ka përfituar nga rritja e pensioneve mund të llogaritet në vlerë totale 80,232 lekë.

Por siç dihet edhe çmimet shtrenjtohen nga viti në vit, ose siç njihet ndryshe inflacioni çmimeve. Pra me lekët e djeshme sot mund të blesh me pak. Për këtë arsye, duke marrë në konsideratë rritjen vjetore të çmimeve ose inflacionit, nga FMN, kemi llogaritur rritjen reale te pensioneve nga viti 2013 në 2019, duke përdorur çmimet konstante të 2015. A janë rritur pensionet gjatë kësaj periudhe më shume apo me pak se sa janë rritur çmimet? A mund të blejnë më shumë gjëra? Dhe sa?

Figura 2: Rritja nominale e pensionit mesatar mujor (në përqindje)
Figura 3: Rritja nominale e pensionit mesatar mujor (në Lek)

Pensioni Qytetit – Rritja Reale

Siç mund ta shohim nga dy grafikët më poshtë, pensioni mesatar mujor në qytet është rritur realisht (i zhveshur nga kompensimi për rritjen e çmimeve) me 638 lekë, ose 4.4%, gjatë periudhës 6-vjeçare. Pensioni mujor i qytetit ka një rritje reale mesatarisht me 106 lek nga viti në vit, ose një rritje reale mesatarisht nga viti në vit me 0.72%. 

E përkthyer se çfarë do të thotë për një vit, një pensionit i qytetit i janë rritur realisht të ardhurat (pra çfarë mund të blej më shumë me çmimet e 2015) me mesatarisht 1,275 lekë nga viti në vit.

Në 6 vite të marra së bashku, shtesa totale reale që ka përfituar (çfarë mund të blejë shtesë me çmimet e 2015) nga rritja e pensioneve mund të llogaritet në vlerë totale 23,283 lekë. Pra me gjithë shtesat nga pensioni gjatë 6 viteve mund të blej një celular shtesë që e ka pasur çmimin 23,283 lekë në vitin 2015.

Pensioni Fshatit – Reale

Siç mund ta shohim nga dy grafikët më poshtë, pensioni mesatar mujor në fshat është rritur realisht (i zhveshur nga kompensimi për rritjen e çmimeve) me 848 lekë, ose 11%, gjatë periudhës 6-vjeçare. Pensioni mujor i fshatit ka një rritje reale mesatarisht me 141 lek nga viti në vit, ose një rritje reale mesatarisht nga viti në vit me 1.77%. 

E përkthyer se çfarë do të thotë për një vit, një pensionist të fshatit i janë rritur realisht të ardhurat (pra çfarë mund të blej më shumë me çmimet e 2015) me mesatarisht 1,696 lekë nga viti në vit.

Në 6 vite të marra së bashku, shtesa totale reale që ka përfituar (çfarë mund të blejë shtesë me çmimet e 2015) nga rritja e pensioneve mund të llogaritet në vlerë totale 45,969 lekë. Pra me gjithë shtesat nga pensioni gjatë 6 viteve mund të blej një televizor shtesë që e ka pasur çmimin 45,969 lekë në vitin 2015.

Figura 4: Rritja reale e pensionit mesatar mujor (në përqindje)
Figura 5: Rritja reale e pensionit mesatar mujor (në Lek)

Nga sa me lart kuptojmë që rritja e pensioneve në qytet ka qenë mesatarisht mbi inflacionin (inflacioni mesatar 1.7%) gjatë këtyre viteve por jo sa dyfishi i tij. Rritja mesatare nominale ka qenë 2.4% në vit. 

Nga sa me lart kuptojmë që rritja e pensioneve në fshat ka qenë mesatarisht mbi inflacionin (inflacioni mesatar 1.7%) gjatë këtyre viteve dhe afërsisht sa dyfishi i tij. Rritja mesatare nominale ka qenë 3.5% në vit. 

Leave a Reply