Aspekte identitare në arkitekturë

1. HYRJE

Nё fokus tё këtij diskursi janë disa prej eksperiencave tё arkitekturës bashkëkohore vendase, tё vendosura pёrballё disa shembujve tё huaj. Mënyra se si ato raportohen me aspektet identitare, me qëllim që tё nxirren në pah ndryshimet dhe ngjashmëritë përkatëse. Për aspekte identitare nënkuptojmë ato veçori që karakterizojnë territorin në fjalë dhe që njëkohësisht na dallojnë nga kulturat e tjera. Nё kёtё pohim jemi tё vetёdjishёm qё këto aspekte janë nё shndërrim tё vazhdueshëm, duke iu përshtatur në një mënyrë apo tjetrën, proceseve tё ndryshme shoqërore.

Me synimin për të hetuar mbi mundësinë e një arkitekture bashkëkohore dhe autentike e veshur me simbolizëm identitar, diskutimi përshkohet gjatë gjithë rrjedhës sё tij prej konceptit tё “kontekstit” dhe “koherencës”. Kontekstin mund ta përcaktojmë si shumatoren e një sёrё rrethanave e tё dhënave tё vendit ku ndërtohet, ndërsa koherencën si pikë nisje për të prodhuar vepra arkitekturore të cilat përkasin dhe vijnë si shprehi e individualitetit të kulturës tonë.

2. KONTEKSTI DHE KOHERENCA

Konteksti përcjell gjithnjë një mesazh. Ai mund të jetë koherent, pra i përbërë nga pjesë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën, ose e kundërta. Imazhi në të majtë (Fig.1) paraqet një malësor shqiptar dhe dy ushtar alpin italian. Konteksti në fjalë tregon me koherencë një periudhë historike të caktuar. Çdo gjë në këtë imazh na lidh në mënyrë të drejtë me atë çka po ndodhte në momentin kur është shkrepur kjo fotografi, prandaj dhe ajo ka një vlerë historike dhe kulturore. Nga ana tjetër, imazhi në të djathtë (Fig.2) paraqet një kontekst jo-koherent. Në këtë rast, tabela reklamuese e një byrektoreje paraqet në të njëjtin mesazh dy rrethana, të cilat nuk ndërveprojnë me njëra tjetrën, duke mos shprehur qartë kuptimin.

Figura 1
Figura 2

Mesazhi vjen si pasojë e një procesi të anasjelltë, që lind nga një përmbajtje, merr një formë të caktuar dhe shndërrohet në një simbol i cili na rikthen te kuptimi i gjësë. Në rastin e kësaj byrektoreje, përmbajtja konsiston te byreqet e freskët, forma te Mc Donald`s dhe simboli te bashkimi i të dyjave. Jo-koherenca në këtë rast qëndron në faktin se forma, aspekt jo-identitar i referohet përmbajtjes, e cila mbart një aspekt identitar të vendit në fjale, pra byreqet e freskët.

Fenomeni i “byrektores Mc Donald`s” është kthyer në një dukuri identitare dominuese në kontekstin shqiptar, në vlerat e prekshme dhe ato të pa prekshme, ku arkitektura zë një vend të rëndësishëm. Kjo dukuri, ndonëse vjen si pasojë e një serë dinamikave komplekse sociale, ekonomike dhe kulturore, karakterizohet nga paqartësia e vlerave dhe miteve nga një anë dhe nga ana tjetër nga dëshira e madhe për tu projektuar drejt vendeve të zhvilluara “perëndimore”.

3. PËRMBAJTJE, FORMË DHE SIMBOL NË ARKITEKTURËN BASHKËKOHORE

Ndërhyrja e vitit 2008, për zgjerimin e muzeut etnografik të qytetit të Bazelit, në Zvicër, është vepër e arkitektëve Herzog dhe DeMeuron. Qyteti mesjetar i Bazelit i përmbahet kategorive të ansambleve historike të qytezave me etni gjermane. Gjuha karakteristike e këtyre ndërtimeve pasqyrohet nga sekuenca të vazhdueshme e çative të pjerrëta me dy kullime. Në këtë rast, është pikërisht silueta e çative, e cila merret si model frymëzues për ndërhyrjen e propozuar; ku koherenca me kontekstin luan rolin më të rëndësishëm në mesazhin që do të përcjelli kjo arkitekturë bashkëkohore. Figura 3 më poshtë paraqet procesin e logjikës kompozitive të ndërhyrjes në fjalë.

Figura 3

Një ndërhyrje e ngjashme është edhe ajo e vitit 2014, për Filarmoninë e Stetinit në Poloni (Mies Van Der Rohe Award 2015). Zyra arkitekturore spanjolle, Barozzi dhe Veiga në këtë rast propozojnë një vepër (Fig. 4) e cila i përmbahet të njejtit simbol, pra siluetës së çative të qendrave historike. Ndonëse Stetini sot ndodhet brenda kufinjëve polak, në të kaluarën ai ka qenë një qendër e rëndësishme e Pomeranisë, rajon historik i Evropës qendrore me etni Gjermane. Prandaj dhe në këtë rast, i njëjti simbol merr një formё alternative, përmes shprehisë sё arkitekturës, duke u kthyer në ikonën e një ndërtimi bashkëkohor të Stetinit.      

Figura 4

Formalisht e ngjashme me ndërhyrjet paraardhëse është  propozimi i markatës së Pazarit të ri në Tiranë.  Projekti i vitit 2017, nga zyra Atelier 4, është kthyer tashmë në një arkitekturë ikonike të qytetit. Ndërhyrja synon të rijetësojë zonën nëpërmjet një arkitekture e cila promovon vlerat e një qyteti bashkëkohor, nëpërmjet një arkitekture që lidh të kaluarën me të tashmen. Thënë kjo, ndërhyrja, ndryshe nga projektet paraardhës nuk gjenerohet nga konteksti por nga simboli, i cili na rikthen tek çatitë e popujve gjermanik. Figura 5 më poshtë paraqet në të majtë një nga shembujt më të mirë, për të përmbledhur vlerat kulturore të arkitekturës identitare shqiptare. Në qendër duket qartë se forma, projekti arkitektonik, nuk merr në konsideratë kontekstin, por frymëzohet nga simboli i një kulture tjetër, pra nga një aspekt jo-identitar, në një kontekst ku supozohet të jetë markata historike e qytetit.  

Figura 5

Ashtu siç parashtruam më parë, paqartësia e përmbajtjes në kontekstin shqiptar, vjen si pasojë e  krizës identitare dhe e dëshirës për të qenë “perëndimorë”. Kjo dukuri e cila manifestohet, në të gjitha dimensionet e përditshmërisë sonë, në ndërtim shfaqet nëpërmjet një arkitekture e cila mundohet të përvetësojë simbole të kulturave të huaja, të cilat në imagjinarin kolektiv konsiderohen të zhvilluara. Si pasojë, arkitektura nuk sjell vlera të reja “perëndimore”, pasi logjika kompozitive nuk i referohet procesit “perëndimor” të projektuarit, përmbajtje-formë-simbol dhe anasjelltas.  

I ngjashëm me projektin e Pazarit të ri është propozimi i çiftit Tagliabue dhe Miralles. Ai konsiston në ndërhyrjen e së njëjtës tipologji, pra markatës. Në këtë rast, forma, mbulesa e pazarit ispirohet nga arkitektura ekzistuese, pak kilometra me tutje. Janë po të njejtët element që karakterizojnë arkitekturën e Gaudi-së që ripropozohen, veshja me elemente qeramike të ngjyrosura dhe linjat sinusoidale, bëhen tema kryesore për mbulonjësen e pazarit në fjalë. Figura 6 më poshtë paraqet procesin e logjikës kompozitive dhe koherencën kontekstuale,  midis përmbajtjes, pra Modernizimit katalanas, formës arkitektonike të propozuar dhe simbolit.

Figura 6

Nga sa më lart, mund të kuptojmë qartë se shumë arktiket bashkëkohor të huaj nuk iu duhet të largohen nga vendi ku ndërhyjnë, për të gjetur frymëzimin e duhur për propozimet e tyre, pasi të projektuarit do të thotë të interpretosh të ardhmen duke analizuar të kaluarën. Një vepër e drejtë, e mirë dhe si pasojë e bukur, është ajo që pasqyron dhe ekzalton në mënyrë ideale vlerat e kontekstit. Nga ana tjetër, është për tu theksuar se trashëgimia kulturore nuk mbrohet vetëm nëpërmjet muzeve dhe monumenteve, por edhe nëpërmjet arkitekturës bashkëkohore, nëpërmjet transferimit të principeve dhe vlerave ku ajo bazohet, pra te një kulture e caktuar, në një vend të caktuar. Është pikërisht shumëllojshmëria  e kulturave të ndryshme që i jep vlerën e shtuar arkitekturës botërore, dhe jo monotonia e një kulture dominuese.

4. ARKITEKTË TË HUAJ NË ARKITEKTURËN BASHKËKOHORE SHQIPTARE

Pazaret historik, ndryshe nga muzeumet, pasqyrojnë në të tashmen kulturën tonë materiale dhe jo, si zakone, sende, produkte apo njohuri të cilat kanë ende një funksion utilitar në përditshmërinë tonë. Në një farë mënyre mund të themi se shumë prej vlerave tona aktive të aspekteve identitare, gjejnë shprehi nëpërmjet pazareve historik të qyteteve.

Ndodh shpesh, dhe për shumë arsye që pazaret historik kthehen nga utilitar për qytetarët, në hapësira ku tregtohen simbole të vlerave identitare, thënë ndryshe suvenire. Këto hapësira i dedikohen kryesisht turistëve, dhe në kontekstin shqiptar pazari i Krujës (Fig.7) është shembulli më i mirë. Pazari në fjalë ka një karakteristikë të veçantë, pasi aty nuk arrin dot të gjesh një çifteli që të mos ketë të shtypur, apo gdhendur flamurin shqiptar. Në pazarin e Krujës duket sikur të vetmet simbole identitare që mund  të shiten, janë flamuri kuq e zi, harta e Shqipërisë, Skënderbeu ose variante të këtyre tre elementëve.

Figura 7

Përveç turistëve, pazari në fjalë është kthyer në tempull frymëzimi për propozimet arkitekturore të projektuesve të huaj në vendin tonë. Ashtu siç parashtruam më parë, arkitektët perëndimorë kanë një përqasje të caktuar ndaj procesit kompozitiv. Projekti lind nga një përmbajtje kontekstuale, më pas merr formë nëpërmjet arkitekturës dhe nëse e suksesshme, apo mjaftueshëm e madhe kthehet në një simbol.  Kjo arkitekturë, e cila lind pak nga dëshira e mirë për të pasur “shpirt shqiptar” e pak nga pamundësia e arkitektëve për tu njohur mjaftueshëm me kontekstin, rrezikon të kthehet në propagandë nacionaliste. Rastet e tre ndërtesave që do shqyrtohen më poshtë, janë një shembull i mirë i kësaj përqasje.

Stadiumi i ri Air Albania, projekt i studios italiane Archea Associati, ndryshe nga strukturat paraardhëse, karakterizohet nga një funksion i shumëfishtë. Në të njëjtën ndërtesë bashkëjetojnë stadiumi, hapësirat ekspozuese, qendrat tregtare, zyra etj. Logjika kompozitive e këtyre organizmave ndërtimor nuk i përmbahen një arketipi të veçantë, por një forme të përgjithshme të cilat funksionalisht ngjasojnë më tepër me një ene, apo paketim i aftë të mbajë gjithçka kërkohet. Për shkak të dimensioneve të mëdha, këto ndërtesa kthehen në simbole të qytetit, ngjashëm me skulptura gjigande në qiell të hapur dhe me impakt mbizotërues në qytet.

Në rastin e stadiumit, sipas Arkea-s, propozimi frymëzohet nga një këngëve shqiptare, me titull “Kuq e zi je ti”. Figura 8 më poshtë paraqet procesin e logjikës kompozitive dhe koherencën projektuale midis përmbajtjes, formës dhe simbolit. Përmbajtja në këtë rast i referohet flamurit, ndërsa simboli një hibridi të përbërë prej arketipit të stadiumit dhe një qiellgërvishtësi. Ky i fundit na rikthen tek simboli i zhvillimit të ekonomisë së tregut të lirë i paketuar me ngjyrat e flamurit.

Figura 8

Ashtu si ndërhyrja paraardhëse edhe dy projektet në vazhdim, tashmë në fazë implementimi, i përmbahen të njëjtës logjikë, disi reduktiviste dhe me nuanca nacionaliste. Zyra e mirënjohur MVRDV propozon për qytetin e Tiranës dy ndërtesa ikonike, shumë të ngjashme me ofertën e suvenireve të ekspozuar në pazarin e Krujës. Figura 9 dhe 10 paraqesin raportin që qëndron midis përmbajtjes, formës dhe simbolit, duke shndërruar veprën arkitektonike literalisht në shumatoren e përmbajtjes dhe simbolit.

Figura 9
Figura 10

Ndryshe nga zanatet e tjera, të bërit arkitekturë nuk konsiston në krijimin e veprave të artit e për më tepër suvenireve në shkallë urbane, të paktën në një shoqëri të lirë dhe minimalisht të formuar. Ndryshe nga arti, arkitektura e qytetit i përket të gjithëve dhe gjatë gjithë kohës. Nëse arkitektura kthehet në art, atëherë kthehet në propagandë. Për më tepër nëse propaganda i përmbahet miteve të së kaluarës, të cilat lindin si përgjigje etnike për të legjitimuar prezencën e tyre në territor, atëherë projektet kthehen në ndërtesa anakroniste me përmbajtje nacionaliste.

5. ARKITEKTURË PËRTEJ NACIONALIZMIT

Greqia, ndonëse ka ngjashmëri kulturore, gjeomorfologjike dhe klimaterike me Shqipërinë, ka pasur një zhvillim tejet interesant në artin e të ndërtuarit. Mendimi arkitektonik, ndër gjenerata projektuesish në këtë vend ka kaluar nëpërmjet një sërë procesesh, të cilat mund të interpretohen si një rrugëtim nisur nga nacionalizmi drejt rajonalizmit.

Në fund të shekullit XIX lind një rrymë në arkitekturën evropiane e cila në një mënyre apo tjetrën frymëzohet nga kultura mesjetare. Ajo njihet me disa emra dhe zgjidhje formale, si arts & krafts, art novo, liberti etj. Në Ballkan, dhe në rastin konkret në Greqi, kjo rrymë pasqyrohet nëpërmjet arkitekturën neo-bizantine, ku kisha e Shën Andreut (Fig. 11) në Patra është një shembull i mirë për tu marr në konsideratë. Stili neo-bizantin, i paketuar me ambalazh nacionalist, vjen në Ballkan si përgjigja perëndimore më efikase për të marr distancat nga arkitektura vendase, e cilësuar aso kohe si Turke, pra prapanike dhe armiqësore.

Figura 11
Figura 12

Rreth viteve 20 të 1900-ës, arkitektë dhe studiues Grek të formuar kryesisht në perëndim filluan të merren intensivisht me kulturën vendase. Synimi i tyre ishte krijimi i një arkitekture autentike, bashkëkohore dhe me shpirt Grek. Një arkitekturë e aftë për të pasqyruar logjikën kompozitive e teknikat më të avancuara të kohës, duke promovuar njëkohësisht vlerat e kulturës vendase.

Figura 13
Figura 14

Shtëpia e ndërtuar nga arkitekti dhe etnografi Aristotelis Zakos, në Athinë (Fig. 12) e viteve 20 është një shembull i mirë reference. Me shumë mjeshtëri ky studiues dhe projektues merr elementet kompozitive të arkitekturës tradicionale greke, konkretisht ato te Egjeut, për ti përkulur në një arkitekturë moderniste.  Një rast tjetër interesant për tu përmendur është veprimtaria e arkitektit dhe artistit Dimitri Pikionis. Në ndërhyrjen e shëtitores që çon në akropoli (Fig. 13), vendos të marri pikërisht elementet e arkitekturës spontane, dhe jo ato klasike apo bizantine siç kishin vepruar paraardhësit e tij. Arkitektë të tjerë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX vazhduan në të njëjtën linjë. Imazhin më lartë (Fig. 14) paraqet veprën e një  tjetër arkitekti të madh, me ketë shtëpi pushimesh në bregdetin grek të vitit 1961. Aris Kostandinidis rikonfirmon në shkrimet dhe veprat e tij se arkitektura e vërtet është ajo indigjene (autoktone), pra një arkitekturë e mirë dhe e bukur konsiston në sa drejtë pasqyron vendin dhe kontekstin kulturor ku ajo zë vend.

Nga sa më lartë, mund të kuptojmë qartë se rrymat dhe stilemat arkitektonike të importit perëndimor, kanë qenë dhe janë ende të pa afta për të shprehur qartë kulturën dhe psiken ballkanike. Arkitekt si Pikionis, Zakos, Kostandinidis etj. janë formuar dhe kanë ligjëruar në akademitë dhe institutet teknike Gjermane. Ata e njihnin mirë arkitekturën “moderne” frymën industrialiste të deutscher werkbund dhe shkollën Bauhaus. Por ata kurrë nuk bënë gabimin e paraardhësve të tyre, të cilët limitoheshin të importonin stilemat perëndimore. Ata integruan mendimin arkitektonik gjerman me kulturën dhe burimet vendase. Ata nuk kopjuan çati të pjerrëta e as struktura me xham e çelik, por u munduan të vëzhgojnë e të kuptojnë kontekstin, të lexojnë e të shkruajnë qartë prejardhjen dhe aspiratën e tyre.

Çdo send, qenie, individ, shoqëri, manifestim apo arkitekturë e ka vlerën e shtuar te karakteristikat që e veçojnë nga të tjerat. Cilësia e gjësë varet nga aftësia për të nxjerr në pah veçoritë dalluese, me synim për krijuar një karakter unik dhe autentik.

Leave a Reply