6 Aplikacionet e mirëqenies dhe Shqipëria

Në një video të shkurtër në TED, historiani dhe autori Niall Ferguson trajton një temë me rëndësi më shume së kurrë për Shqipërinë sot. Dhe jo vetëm se në këtë video shfaqemi dhe ne, jo për mirë.

Sipas autorit 6 “Aplikacionet vrastare” që garantuan suksesin e perëndimit për të ofruar begati për qytetarët e tyre në krahasim me vendet e tjera kanë qenë: konkurrenca; revolucioni shkencor/dija; prona private; mjekësia; konsumi; dhe etika punës.

Po ti shohim tek ne këto 6 “aplikacione”, fillojmë të vërejmë qe “janë pak si të mbarume” dhe nuk kanë fuqi “me vra” askënd.

Në këtë video të Ferguson gjeni dhe përgjigjen sipas autorit të pyetjes që pse ne në Shqipëri nuk punojmë dhe “rrimë kafeneve”. Sepse ligjet dhe institucionet tona nuk e nxisin etikën e punës.

Për çështjen e dijes dhe arsimit, për të cilën Shqipëria përmendet edhe në këtë video, kam parashtruar në disa shkrime ngritjen e arsimit në çështje të rëndësisë kombëtare dhe rolin e rregullave dhe institucioneve tona në krijimin e një tregu që vlerëson dhe nxit dijen. Për këtë arsye nuk po zgjatem më tej në këtë fushë.

Për të pasur begati, ligjet dhe institucionet duhet të jenë të drejta dhe të bazohen në arsye. Ligje kishte dhe sistemi komunist në Shqipëri, dhe e pamë çfarë prodhoi. Por ai ishin ato dhe sjellja e institucioneve e arsyeshme?

Sot shumë veta pyesin pse po i vihet dhe i duhet vënë kaq shumë rëndësi shtetit ligjor dhe institucioneve, veçanërisht sistemit të drejtësisë. A duhej demokracia ti sillte këto? Pse si ka sjellë në Shqipëri apo në vende të Afrikës?

Autori hedh idenë për diskutim që edhe radha e gjërave ka rëndësi. Pra mos duhet të fillohet nga zbatimi i ligjeve dhe funksionimi i institucione të bazuara në arsye? Në Shqipëri politikanët për interesa të tyre këto 30 vjet na e servirën demokracinë dhe lirinë si mos konsideratë për rregullat dhe dobësim të institucioneve.

Unë do shtroja këto pyetje: Gjermani dhe Holanda ishin në fillim shtete ligjore dhe me institucione funksionale, përfshi atë të pronës private, dhe pastaj u bënë shtetet sociale që njohim sot? Apo e anasjellta? Në Shqipëri politika na premton prej vitesh që do bëhemi shtet social (si p.sh. shëndetësia falas apo pensione të larta) pa u bërë shtet ligjor dhe i arsyes. E kështu nuk jemi as shtet social dhe as i drejtë. Por një shoqëri që i vidhen mundësitë për begati.

Në këtë diskutim të autorit keni dhe një temë me rëndësi siç është roli i konsumit në vënien në lëvizje të motorit të zhvillim. Në dritën e diskutimeve të sotme mbi rritjen e çmimeve dhe sfidat për shtresat me të ardhura të ulta në vend, kjo do të thotë që për një zgjidhje të qëndrueshme duhet të fokusohemi tek rritja e fuqisë konsumatore dhe konkurrencës në Shqipëri. Dhe të lemë pas mbajtjen e qytetarëve nën presionin e rritjes së kostos së jetesës si rezultat i mos funksionimit të shtetit të së drejtës dhe prishjes çdo ditë të konkurrencës nga institucione publike për përfitime jo të qëndrueshme të një grupi të vogël të shoqërisë.

Institucione të korruptuara prodhojnë varfëri dhe shpërdorim burimesh, përfshi ato njerëzore, me anë të ligjeve të pa arsyeshme (si p.sh. përfitimi lejeve për zhvillim nga vetëm një klient i qeverisë në bregdet) apo mos zbatimit të barabartë të ligjeve që janë të arsyeshme, duke vënë në disavantazh pjesën e ndershme të shoqërisë.

Prandaj duhet të fokusohemi që Shqipëria të jetë një vend ku të jesh i ndershëm, arsyeshëm, krijues dhe i drejtë të mos jetë më me kosto dhe e shtrenjtë se të qenit i “fortë”, parazitar, hileqar apo i korruptuar. E kështu vërtetë shpërblejmë individin dhe si rrjedhojë shoqërinë.


Një shembull:

Prej vitesh titullarët politikë të institucioneve tona dhe stafi i tyre poshtë, e konsiderojnë normale, të drejtë të drejtuesit, dhe çelës pushteti të paracaktojnë fitues tenderash publik. Kështu procedurat e prokurimit janë kthyer thjeshtë në një formalitet. Aq sa tashmë jemi mësuar që është e kot të konkurrosh dhe prej vitesh kemi pranuar edhe duke i legjitimuar tenderat me 1 konkurrent si normalitet. Po pse ndodh kjo dukuri? Pse nuk konkurrencë? Pse çmimet janë disa herë më të shtrenjta se po ti blej private? Pse cilësia për çmim është e dobët?

1. Nëse ka aktorë ekonomik por nuk hynë të konkurrojnë ka diçka që nuk shkon. Pse nuk lodhen as të hynë? Ose kemi vënë kritere kufizuese të konkurrencës përtej arsyes. Ose përdorim fuqinë ligjorë në mënyrë arbitrare për ta prishur ose tjetërsuar rezultatin e procedurës nëse nuk del fituesi paracaktuar. Por mbi të gjitha investohet në mënyrë të vazhdueshme që këta aktorë ta kenë të qartë që në fillim që “kot e ke se kjo gjë është caktuar”. Kështu shpesh herë koluzioni dhe jo konkurrenca ndërmjet aktorëve ekonomik është dukuria që shoqëron përdorimin e fondeve publike. Ata të pabindur që bëjnë sikur nuk i kuptojnë “rregullat” ndëshkohen qoftë edhe në zbatim kontrate, për tu bërë kështu shembull për të tjerët që mund të guxojnë.

2. Mbase institucionet dhe ligjet tona janë te arsyeshme dhe të zbatuara në fushën e prokurimit, por  nuk ka aktorë tregu që të konkurrojnë për shërbimet a mallrat që kërkon shteti. Kjo përveçse është po aq, në mos më e tmerrshme se alternativa e parë sepse duhet të na bëj të mendojmë për ekonominë që kemi krijuar me sistemin e përgjithshëm ligjor dhe institucional. Pse nuk kanë incentiva apo mundësi të futen në treg të tjerë aktore?

Cila do që të jetë nga këto të dyja, përgjigja është e njëjtë: Shqiptarët nuk besojnë se tek ne ka konkurrencë dhe shtet ligjor të arsyeshëm, aq sa t’ia vlejë të ndryshojnë sjellje. Dhe kjo duhet ndryshuar.

Leave a Reply