Çmimi Nobel nuk ndryshon asgjë mbi efektin e pagës minimalë në nivelin e papunësisë

Njëri nga fituesit e çmimit Nobel në ekonomi (David Card) është i njohur për një nga studimet e tij mbi efektin e pagës minimale në nivelin e papunësisë. Në këtë studim të publikuar në 1994, David Card dhe Alan Krueger (Card dhe Krueger, 1994) gjejnë se rritja e pagës minimale nuk solli rritje të papunësisë, ashtu siç e parashikon modeli i kërkesës dhe ofertës. Në fakt, ata gjejnë se pati rritje të punësimit pas rritjes të pagës minimale, gjë e cila është tërësisht kundër teorisë bazuar në modelin e kërkesës dhe ofertës.

Fatkeqësisht shumë ekonomistë, përfshirë këtu Paul Krugman, i cili është një tjetër fitues i çmimit Nobel në ekonomi, po e marrin çmimin Nobel si aprovim për këto gjetje, por studimi i Card dhe Krueger ka shumë probleme. Më poshtë, unë diskutoj të paktën gjashtë pika, të cilat  tregojnë problemet me këtë studim dhe me këto lloj kërkimesh në përgjithësi.

1. Në vitin 2000, David Neumark dhe William Wascher gjetën probleme të mëdha me të dhënat e përdoruara në atë studim. Këto të dhëna punësimi në restorante ishin mbledhur nga studente nëpërmjet telefonit dhe siç duket nuk ishin aspak të sakta. Duke përdorur të dhëna të tjera Neumark and Wascher (2000) gjetën se rritja e pagës minimale në fakt rrit papunësinë. Pra, një rezultat ky tërësisht i kundërt me atë të Card dhe Krueger (1994).

2. Në vitin 2000, Card dhe Krueger e përsëritën studimin e tyre me të dhëna më të sakta dhe nuk gjetën asnjë efekt të pagës minimale mbi papunësinë. Pra, ata nuk gjetën as rënie, as rritje të papunësisë pas rritjes së pagës minimale. Por edhe ky studim ka problemet e tij (pika 3, 4, dhe 5), të cilat i ka edhe studimi e parë.

3. Studimi i vitit 2000, po ashtu është kritikuar, sepse të dhënat e përdorura mbi punësimin janë mbi numrin e të punësuarve dhe jo mbi orët e punësimit. Kjo ka rëndësi, sepse restorantet mund të punësojnë më shumë njerëz, por nëse këta punojnë më pak orë, atëherë në total numri i orëve mund të ulet. Pra, rezultati mund të ndryshojë komplet në bazë të të dhënave që ne përdorim. Problemi i cilësisë së të dhënave është një nga problemet kryesore në studimet empirike.

4. Studimi lë jashtë faktin që lajmi për rritjen e pagës minimale ishte i njohur nga të gjithë dy vite përpara sesa të vihej në funksion. Kjo ka rëndësi, sepse punëdhënësit mund të kishin filluar të bënin ndryshime në punësim gjatë këtyre dy viteve, kështu që kur paga minimale u rrit ata nuk kishin pse të bënin ndryshime të tjera. Në fakt ne kemi prova për këtë nga vënia e një tavani çmimesh (qira maksimale e vendosur me ligj – kontroll ky i ngjashëm me pagën minimale) për qiratë në Ontario të Kanadasë. Debati mbi këtë ndërhyrje të shtetit në treg filloi pesë vite para se të zbatohej kontrolli mbi qiratë dhe ashtu siç e tregon edhe grafiku i mëposhtëm numri i apartamenteve të ndërtuara që do prekeshin nga kontrolli i qirave (vija blu) filloi të binte disa vite para se të viheshin në zbatim kontrollet e qirave. Pra, bizneset edhe në rastin e pagës minimale mund t’i kishin bërë ndryshimet para sesa të zbatohej rritja e pagës minimale dhe kur Card dhe Krueger i analizuan të dhënat e punësimit pas rritjes së pagës minimale u duk sikur rritja e pagës minimale nuk pati efekte negative në nivelin e papunësisë.

Grafiku i marrë nga: Modern Principles: Microeconomics by Tyler Cown and Alex Tabarrok

5. Jeffrey Clemens në një studim të publikuar këtë vit (2021) argumenton se rritja e pagës minimale mund të ketë efekte në format e tjera të kompensimit, si për shembull bonuset apo pushimet e paguara. Pra, në rastin e Card and Krueger mund të ketë ndodhur që paga totale (që përfshin çdo lloj kompensimi) mund të mos jetë rritur, ose të jetë rritur shumë pak. Kjo do të thotë që punëdhënësit vërtetë paguan një pagë më të lartë për orë pune ,por ata ulën kostot e tjera (psh. bonuset) dhe si rrjedhojë kostoja totale e një punëtori nuk u rrit. Nëse kostoja e një punëtori nuk u rrit vërtet (për të vërtetuar këtë duhen parë të dhënat, të cilat asnjë nga studimet e përmendura më lart nuk i ka pasur), atëherë është mëse normale që nuk pamë një efekt negativ të pagës minimale.

6. Card dhe Krueger 1994 krahason të dhënat e punësimit të New Jersey ku paga minimale u rrit me ato të Pensilvanisë ku paga minimale nuk u rrit. Kjo është shumë e rëndësishme në metodologjinë e tyre për të kapur lidhjen shkakore midis pagës minimale dhe nivelit të papunësisë. Por, Joshua Angrist, një nga tre ekonomistët që fituan çmimin Nobel në ekonomi ne këtë vit, argumenton se krahasimi i nivelit të punësimit midis New Jersey dhe Pensilvanisë mund të mos jetë i duhuri sepse (Angrist dhe Pischke, 2008). Ky është një problem shumë i madh nëse qëndron për punimin e Card dhe Krueger, sepse si të themi eliminon shtyllën kryesore në të cilën ky studim është i bazuar.

Pra, ajo që duhet të vihet në dukje është se çmimi Nobel këtë vit u dha për metodat statistikore të përdoruara në studime të ndryshme, por jo për gjetjet se rritja e pagës minimale nuk sjell rritje të papunësisë.

Po ashtu, studimi Card and Krueger nuk është provë që modeli i monopsonisë (modeli me vetëm një blerës – në këtë kontekst me vetëm një punëdhënës) është modeli i duhur për të studiuar efektin e pagës minimale në nivelin e papunësisë. Në fakt, në studimin e tyre të parë, Card dhe Krueger, në fjalinë e fundit të studimit thonë: “Të marra së bashku këto gjetje janë të vështira për t’u shpjeguar me modelet standarde, apo me modelet ku punëdhënësit përballen me limitim të ofertës (p.sh. monopsoni apo modelet e kërkimit të ekuilibrit).” Për më tepër, vetë David Card ka thënë se atij nuk i pëlqen që studimi i tij po përdoret për të argumentuar një rritje të pagës minimale.

Për ta mbyllur, mësimi kryesor këtu është që ekonomia nuk është statistikë. Edhe pse modelet statistikore mund të na ndihmojnë në disa raste, në atë rast kur ato nuk mbështeten në teori solide, apo e kundërshtojnë teorinë, rezultatet e tyre duhet të interpretohen me kujdes. Ajo që kemi parë më lart është se këto studime vuajnë nga cilësia e të dhënave. Shpesh ndodh që të dhënat që ne kemi nuk prekin atë aspekt të ekonomisë që ne duam, ose nuk e prekin atë plotësisht. Kjo është një arsye tjetër përse ne duhet të jemi të kujdesshëm në interpretimin e rezultateve të studimeve empirike.


Referencat:

  1. Angrist, J. D., & Pischke, J. S. (2008). Mostly Harmless Econometrics. Princeton University Press.
  2. Card, D., & Krueger, A. B. (1994). Minimum Wages and Employment: A Case Study of the Fast-Food Industry in New Jersey and Pennsylvania. American Economic Review, 84(4), 772-93.
  3. Card, D., & Krueger, A. B. (2000). Minimum wages and employment: a case study of the fast-food industry in New Jersey and Pennsylvania: reply. American Economic Review, 90(5), 1397-1420.
  4. Clemens, J. (2021). How do firms respond to minimum wage increases? Understanding the relevance of non-employment margins. Journal of Economic Perspectives, 35(1), 51-72.
  5. Neumark, D., & Wascher, W. (2000). Minimum wages and employment: A case study of the fast-food industry in New Jersey and Pennsylvania: Comment. American Economic Review, 90(5), 1362-1396.

One thought on “Çmimi Nobel nuk ndryshon asgjë mbi efektin e pagës minimalë në nivelin e papunësisë

  • October 29, 2021 at 4:32 pm
    Permalink

    Eshte nje veprim i mire dhe duhen inkurajuar kritika mbi punime me nje anim idiologjik(te majte apo te djathte), sic eshte politika e pages minimale, por autori duket sikur bie pre e “confirmation bias”, pasi duket qarte perpjekja si-e-si te gjej mangesi, dhe argumente qe mposhtin gjetjet e Card&Kruger, dhe e nxjerr veten dukshem qe politikisht i perket se djathtes. Nuk ndodhet asnje paragraf mbi meritat e punes qe Card&Kruger-te pakten kane filluar. Ne opinion tim ekonomistet- te pakten ata akademik- mbas viteve 90 nuk duhet te mbajne qendrime te tilla. Nobeli i sivjetshem, por dhe i vitin te kaluar perpiqet qe te lartesoj te ashtuquajturen “valen e trete” (credibility revolution) te ekonomiksit qe punon me te dhena. Thenie te tilla si “ekonomiksi nuk eshte statistike” jo vetem qe i perkasin vales se dyte te filluar me Hayek, Keynes, Friedman(me duket se Keynes ka thene nje dicka te tille!!), dhe qe lulezoj deri ne vitet 90 ku shumica e punime ishin teorike- por pengon ekonomiksin drejt zbulimeve te reja. Mbas 90-tave punet teorike jane me te pakta dhe pjesen me te madhe e zene punet empirike. Nuk po perpiqem te them qe nuk duhet te jemi me ekonomist teorik-thjesht ekonomistet e sotem duhet ti mbeshtesin zvhillimet e reja-sidomos ato qe aspirojne drejt rritjes se rigorozitetit.
    Problematike e shikoj kryesisht piken 4 dhe 6. Ne piken 4 paralelizohen deridiku ne menyre naive fenomene te tregut te pasurise se patundshme me tregun e punes. Ne duhet te jemi te hapur qe te investigojme qe jo te gjitha tavanet apo dyshemete operojne njesoj. Dhe studimet e reja empirike te japin mundesi qe te investigosh keto pyetje ne menyren me rigoroze. Ne piken 6 ndodhen nje fjali jo e plote e cila duhet te tregonte argumentin e Angrist por qe shkeputet.
    Dhe titulli i artikullit, qe keto studime “nuk ndryshojne asgje mbi efektin e pages miminale”( sikur ka nje te vertet te padiskutueshme mbi pagen minimale) pervec se duket pompoz dhe idiologjisht qarte djathtas, e imponon kete vertetesi ne nivelin e nje dogme, dhe nuk ndihmon ne thellimin e metejshem se cfare ndodh me pagen minimale. Nuk eshte aq e lehte dhe eshte jo shkencore te thuash se keto ceshtje shpjegohen thjesht nga kerkesa dhe oferta. Inovacionet metodologjike por dhe pyetjet mbi pagen minimale,arsimin etj te nobelisteve sigurisht qe kane ndryshuar fushen e ekonomiksit per me mire dhe kane ndihmuar ne avancimin e saj. Cfare eshte me e rendesishme eshte qe trajtime te tilla ndryshojne dhe drejtimet teorike per ta kuptuar me mire sesi ndikon paga minimale, arsimi etj. Dua ti kujtoj autorit se cfare thote nje nga perfaqesuesit(JB.Say) shume te respektur te klani(tribe-it) te tij, i shkruar rreth 1803: “The science of political economy, to be of practical utility, should not teach, what must necessarily take place, if even deduced by legitimate reasoning, and from undoubted premises; it must show, in what manner that which in reality does take place, is the consequence of other facts equally certain. It must discover the chain which binds them together, and always, from observation, establish the existence of the two links at their point of connexion.”

Leave a Reply