Ndikimi i taksimit në konsumin e cigareve, të ardhurat nga taksat dhe vdekjet e parakohshme në Shqipëri

Kërkimi ekonomik në Shqipëri mbulohet pak. Në Ekon.al dëshirojmë t'i japim më shumë hapësirë kërkimit ekonomik shqiptar duke mbuluar botimet më të fundit. Artikulli i mëposhtëm është një përmbledhje teknike e botimit më të fundit nga Drini Imami, Edvin Zhllima, Elvina Merkaj dhe Aida Gjika. Autorët kanë një seri botimesh në këtë fushë. Për t'u njohur më shumë me punët e tyre, ju ftojmë të vizitoni profilet e tyre në Research Gate.   

Në studimin më të fundit autorët hulumtojnë marrdhënies mes akcizës së duhanit në Shqipëri, të ardhurave tatimore dhe vdekshmërisë për shkak të konsumimit të duhanit. Gjetjet e tyre mbështesin rritjen e akcisës së duhanit në vitet në vijim. 
Pse taksimi  i duhanit kndësi  si  për shëndetin e popullsisë ashtu edhe për buxhetin e qeverisë në Shqipëri?

Prevalenca e duhanpirjes në Shqipëri është e lartë: një në katër të rritur janë duhanpirës. Shifrat e fundit të disponueshme nga Anketa për Konsumin e Duhanit në Vendet e Evropës Juglindore (STC-SEE) në 2019, tregojnë se mbi 42 përqind e burrave dhe 7 përqind e grave në Shqipëri konsumojnë duhan. Megjithëse vitet e fundit, prevalenca ka rënë, ajo mbetet shumë më e lartë se mesatarja botërore. Kjo prevalencë e lartë e duhanpirjes rezulton në kosto të larta ekonomike dhe shëndetësore për popullsinë shqiptare.

Prevalenca e duhanpirjes ndikohet nga faktorë të ndryshëm, përfshirë taksimin e duhanit. Nivelet e akcizës së duhanit në Shqipëri janë më të ulëtat krahasuar me të vendet të tjera të Evropës Juglindore. Shqipëria, ashtu si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, është në proces integrimi në Bashkimin Evropian (BE). Për të përmbushur objektivin e BE-së, vendit do t’i duhet pothuajse të dyfishojë normën aktuale të akcizës për të arritur minimumin e kërkuar prej 90 euro për 1,000 cigare.

Rritja e akcizës pritet të përmirësojë shëndetin e të shmangë vdekjet e parakohshme nga njëra anë, si edhe të shtojë të ardhura në buxhetin e shtetit nga ana tjetër. Të ardhurat nga taksat e duhanit përbëjnë mesatarisht 13 përqind të totalit të të ardhurave doganore.

Prandaj, është e rëndësishme që të kemi një vlerësim sasior të saktë të ndikimit të ndryshimeve të akcizës, duke pasur parasysh edhe kontekstin e pandemisë Covid-19, e cila u karakterizua nga rritja e borxhit publik dhe e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e shëndetit. Kjo përmbledhje informative për politikat bazohet në një simulim ushtrimor i cili synon të ofrojë rezultate të ndikimit të rritjes  së akcizës së cigareve (e rrjedhimisht të çmimit) në konsumin e cigareve, në vdekjet e parakohshme si edhe në të ardhurat nga taksat.

Skenarët e taksimit të cigareve – ndikimet fiskale dhe shëndetësore

Studimi përdor të dhëna në nivel familjeje për Shqipërinë dhe shtjellon dy skenarë të rritjes së taksave për të përmbushur kërkesat e BE- së:

Skenari i parë: skenari “i vazhdimësisë” bazohet në kalendarin e rritjes vjetore të akcizës në vitet e fundit në Shqipëri (4 përqind). Në këtë skenar, Shqipëria do të arrijë të përmbushë kërkesat e BE-së për nivelin e akcizës specifike brenda vitit 2035.

Skenari i dytë: sipas udhëzimeve të Bankës Botërore (2018)[1] ky skenar është një plan me rritje më të shpejtë akcize prej 8 përqind nga viti 2022 në vitin 2024 i ndjekur nga 5 përqind rritje në periudhën 2025-2030. Në këtë skenar, Shqipëria do të arrijë të përmbushë kërkesat e BE-së për vlerën e akcizës në 10 vite (2030).

Rezultate

Rezultatet nga skenari i parë “i vazhdimësisë”, parashikojnë një nivel të qëndrueshëm konsumi, ndërkohë që normat më të larta të akcizës në skenarin e dytë pritet që të sjellin ulje të ndjeshme të konsumit të cigareve (Figura 1).

Burimi: Simuluesi i akcizës [2]

Përsa i përket ndikimit në buxhet, skenari i dytë pritet që të gjenerojë të ardhura më të larta, pasi rritja e të ardhurave nga akciza më e lartë tejkalon efektin që rezulton nga ulja e konsumit. Më specifikisht, gjatë periudhës 2022-2030 në skenarin e dytë pritet që të mblidhen 77 Milion Euro ose 5 përqind më shumë të ardhura nga taksat sesa në skenarin e parë (Figura 2).

Burimi: Simuluesi i akcizës

Ndikimet në vdekjet e parakohshme ndryshojnë në mënyrë drastike mes skenareve. Numri i vdekjeve të parakohshme sipas skenarit të dytë pritet që të ulet me rreth 19 mijë gjatë periudhës 2020 -2030 (për shkak të atyre që heqin dorë nga duhanpirja) ose 33 mijë vdekje më pak në krahasim me skenarin e parë (sipas të cilit pritet që të vdesin parakohe rreth 15 mijë duhanpirës të tjerë (Figura 3)). Për më tepër, rritja e akcizës në skenarin e dytë ka një efekt pro të varfërve, pasi 50% e vdekjeve të parandaluara nga rritja e akcizës janë pjesë e grupit të duhanpirësve me të ardhura më të ulëta, gjë që nënkupton kosto më të ulëta shëndetësore për shqiptarët me të ardhura më të ulëta, të cilët kanë më shumë gjasa të vuajnë më shumë nga kostot shëndetësore që lidhen me trajtimet e sëmundjeve që shkaktohen nga duhani.

Burimi: Simuluesi i akcizës
Përfundime dhe Rekomandime

Gjetjet tregojnë se aplikimi i një norme më të lartë të rritjes vjetore të akcizës se sa rritja historike është thelbësore për arritjen e objektivave politike, përkatësisht për rritjen e të ardhurave tatimore, uljen e numrit të vdekjeve të parakohshme dhe sëmundjeve të lidhura me duhanin dhe shpenzimeve mjekësre për të trajtuar ato. Ndërkohë një normë më e lartë rritje e akcizës mundëson një harmonizim më të shpejtë me kërkesat e BE-së që theksohen në kapitullin 16 të Acquis për taksimin.

Bazuar në këto gjetje, Ministria e Ekonomisë dhe Financave mund të ndikojë në uljen e numrit të vdekjeve prej konsumit të duhanit dhe të rrisë më shumë të ardhurat tatimore duke zbatuar një plan shumëvjeçar të bazuar në një rritje më të shpejtë akcize (rritje vjetore prej 8 përqind për 3 vitet e para (2022-2024) dhe 5 përqind për vitet e mbetura (2025-2030)). Megjithëse normat e rritjes së akcizës (që korrespondojnë me skenarin e dytë) janë më të larta sesa ato të parashikuara në kalendarin aktual të akcizës, ato janë ende relativisht modeste kur krahasohen me standardet ndërkombëtare.

Shënim: Për arsye krahasueshmërie, numri i vdekjeve jepet për periudhën 2020 – 2030

Duke marrë parasysh shqetësimet lidhur me tregtinë e paligjshme të duhanit, përforcimi i zbatimit të legjislacionit në lidhje me kontrollin e duhanit është shumë i rëndësishëm veçanërisht në rastin e një norme më të lartë të rritjes së akcizës. Nga ana tjetër, për të adresuar më tej kostot sociale dhe shëndetësore të duhanit, duhet të bëhen më shumë përpjekje për një zbatim më rigoroz të politikave të kontrollit të duhanit, përkatësisht ato lidhur me kufizimet në marketingun e këtyre produkteve dhe garantimin e mbrojtjes nga ekspozimi ndaj tymit të duhanit në ambjentet e mbyllura (në përputhje me kërkesat e BE-së dhe Konventën Kuadër të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit).

Mirënjohje

Qendra Partnerë në Zgjidhje dhe Zhvillim (Development Solutions Associates – DSA) bashkëpunon me Institutin për Kërkime dhe Politika Shëndetësore të Universitetit të Illinois në Çikago (University of Illinois of Chicago – UIC) për të kryer kërkime ekonomike mbi taksimin e duhanit në Shqipëri. UIC është një partner i Iniciativës Bloomberg për Reduktimin e Përdorimit të Duhanit. Pikëpamjet e shprehura në këtë dokument nuk mund t’i atribuohen dhe as nuk përfaqësojnë pikëpamjet e UIC, Institutit për Kërkime dhe Politika Shëndetësore ose Bloomberg Philanthropies. Autorët e këtij raporti falenderojnë Dr. Aida Gjika dhe Dr. Michal Stoklosa, dhe ekipin e UIC, veçanërisht Dr. Jeffrey Drope dhe znj. Erika Siu për mbështetjen e tyre të vlefshme dhe të vazhdueshme.

Sugjerohet të citohet si:

Imami, D., Zhllima, E., Merkaj, E. & Gjika I. (2021). The impact of tobacco tax increases on tobacco consumption, tax revenue, and deaths in Albania. Development Solutions Associates.


[1] Shih Banka Botërore (2018) Rritja e taksave të duhanit – një situatë me përfitime si për shëndetin ashtu edhe për ekonominë: https://www.worldbank.org/en/topic/tobacco/brief/taxing-tobacco-a-win-win-for-public-health-outcomesmobilizing-domestic-resources

[2] Qendra Partnerë në Zgjidhje dhe Zhvillim në kuadër të këtij projekti hartoi një instrument simulimi bazuar në Programin Excel i cili mundëson përfshirjen e disa treguesve në nivel kombëtar për të përllogaritur efektet e rritjes së çmimit të cigareve në konsum, nivelin e grumbullimit të të ardhurave nga taksat dhe vdekjeve të parakohshme.

Leave a Reply